Në prani të Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama, përfaqësuesve të institucioneve publike dhe partnerëve strategjikë, u lançua zyrtarisht Albanian Digital Solution SH.A. (ADS), kompania e re shtetërore e dedikuar për zhvillimin, operimin, mirëmbajtjen, sigurinë dhe përmirësimin e vazhdueshëm të sistemeve dhe shërbimeve digjitale publike.
Gjatë aktivitetit, z. Edi Rama u shpreh se krijimi i ADS vjen si pjesë e vizionit për një shtet që ndërton dhe menaxhon vetë zgjidhjet e tij teknologjike, duke reduktuar varësinë nga ofruesit e jashtëm. Sipas tij, objektivi është krijimi i një kompanie publike të suksesshme në zhvillimin dhe mirëmbajtjen e sistemeve digjitale, e aftë të konsolidojë ekspertizën teknologjike brenda vendit dhe të garantojë pavarësi në administrimin e infrastrukturave kritike shtetërore.
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, znj. Delina Ibrahimaj, e cilësoi ADS një investim strategjik afatgjatë në teknologji dhe inovacion. Ajo nënvizoi se synimi është që Shqipëria të zhvillojë produkte dhe shërbime digjitale jo vetëm për administratën publike, por edhe zgjidhje me potencial konkurrues në tregjet ndërkombëtare.
Nga ana e tij, Drejtori i Përgjithshëm i AKSHI-t, z. Igli Tafa, vlerësoi se sukseset e arritura ndër vite me platformën e-Albania dhe projektet e tjera të transformimit digjital kërkojnë tashmë një instrument të ri që të përballojë sfidat teknologjike të së ardhmes. Sipas tij, ADS do të shërbejë si një motor i rëndësishëm për përshpejtimin e transformimit digjital dhe realizimin e iniciativave strategjike në dobi të qytetarëve dhe biznesit.
Administratori i ADS, z. Saimir Kapllani, prezantoi vizionin e kompanisë si operatori profesional i shërbimeve teknologjike të shtetit shqiptar. Misioni i ADS është garantimi i sigurisë, vazhdimësisë dhe përmirësimit të vazhdueshëm të shërbimeve digjitale, duke ndërtuar dhe ruajtur ekspertizën teknologjike brenda institucioneve publike.
ADS synon të shndërrohet në një qendër kombëtare të inovacionit dhe inteligjencës artificiale për sektorin publik, duke u mbështetur në profesionalizëm, meritokraci dhe zhvillimin e një ekipi elitar specialistësh që do të kontribuojnë në të ardhmen digjitale të Shqipërisë.
Me krijimin e Albanian Digital Solution SH.A., Shqipëria synon të forcojë kapacitetet e saj teknologjike dhe të përshpejtojë modernizimin e shërbimeve publike, duke ofruar zgjidhje më efikase, më të sigurta dhe më pranë nevojave të qytetarëve dhe bizneseve.