Ekspert i Lartë, Njësia e Arkitekturës së Sistemeve, Departamenti i Zhvillimit dhe Transformimit Digjital në “ALBANIAN DIGITAL SOLUTION” SH.A.,
Në zbatim të ligjit nr. 7961, datë 12.07.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, Statutit dhe Aktit të Themelimit të Shoqërisë “ALBANIAN DIGITAL SOLUTION” SH.A., shoqëria “ALBANIAN DIGITAL SOLUTION” SH.A. shpall konkurrimin për 2 (dy) vende të lira pune në pozicionin:
Ekspert i Lartë, Njësia e Arkitekturës së Sistemeve, Departamenti i Zhvillimit dhe Transformimit Digjital, në “ALBANIAN DIGITAL SOLUTION” SH.A.
Detyrat kryesore
- Analizon kërkesat funksionale, jofunksionale dhe kufizimet teknike të projekteve dhe i transformon ato në zgjidhje arkitekturore të zbatueshme.
- Dizajnon arkitekturën e detajuar të zgjidhjeve teknologjike, në përputhje me drejtimin, standardet dhe arkitekturat referuese të miratuara.
- Harton alternativat arkitekturore, vlerëson përfitimet, kostot, kufizimet dhe rreziqet teknike dhe rekomandon zgjidhjen më të përshtatshme.
- Përcakton kërkesat jofunksionale për projektet konkrete, përfshirë sigurinë, performancën, shkallëzimin, disponueshmërinë, monitorimin, vazhdimësinë e shërbimit dhe rikuperimin nga fatkeqësitë.
- Përfshin parimet Security by Design dhe Privacy by Design në dizajnin e zgjidhjeve, në bashkëpunim me ekipet përgjegjëse për sigurinë dhe mbrojtjen e të dhënave.
- Dizajnon API-të, integrimet, modelet e shkëmbimit të të dhënave dhe mekanizmat e ndërveprueshmërisë ndërmjet sistemeve.
- Harton dhe mirëmban dokumentacionin teknik dhe arkitekturor të projekteve, përfshirë diagramet C4, regjistrat ADR, specifikimet teknike dhe modelet e integrimit.
- Vlerëson teknologji, platforma dhe komponentë të rinj dhe realizon prova koncepti (Proof of Concept), kur është e nevojshme, përpara rekomandimit të tyre.
- Bashkëpunon me ekipet e zhvillimit software, DevOps, infrastrukturës, bazave të të dhënave dhe sigurisë për zbatimin e arkitekturës së miratuar.
- Mbështet teknikisht ekipet gjatë zhvillimit, implementimit, testimit dhe kalimit të zgjidhjeve në prodhim.
- Verifikon që zgjidhja e implementuar është në përputhje me arkitekturën e miratuar dhe raporton devijimet te Përgjegjësi i Njësisë.
- Harton zgjidhjet dhe planet teknike për modernizimin, integrimin dhe migrimin e sistemeve, në përputhje me roadmap-et e miratuara.
- Identifikon problemet teknike te akumuluara, kufizimet e sistemeve legacy dhe komponentët që i afrohen fundit të mbështetjes dhe propozon masat për trajtimin e tyre.
- Analizon problematikat komplekse teknike dhe propozon zgjidhje për përmirësimin e performancës, sigurisë, qëndrueshmërisë dhe ndërveprueshmërisë së sistemeve.
- Merr pjesë në analizën e incidenteve kritike dhe rekomandon përmirësime teknike dhe arkitekturore për parandalimin e përsëritjes së tyre.
- Zbaton dhe promovon ripërdorimin e komponentëve, modeleve dhe praktikave teknike të miratuara.
- Ofron mentorim teknik dhe mbështetje profesionale për arkitektët e niveleve të tjera dhe specialistët e ekipeve teknike.
- Raporton tek Përgjegjësi i Njësisë
Kërkesat për kandidatët
- Të zotërojë diplomë të nivelit Bachelor në Informatikë, Inxhinieri, Teknologji Informacioni ose fusha të ngjashme
- Të ketë njohuri shumë të mira të gjuhës angleze;
- Të ketë të paktën 5 vite eksperience profesionale në fushë
- Certifikime: TOGAF, Cloud Architecture ose ekuivalente përbëjnë avantazh
Dokumentet e aplikimit
- Kërkesë për aplikim
- CV
- Fotokopje të diplomës dhe listës së notave
- Fotokopje të librezës së punës (vetëm faqet e plotësuara), ose vërtetim të kontributeve të sigurimeve shoqërore të gjeneruara nga platforma e- Albania, ose Vërtetim të lëshuar nga punëdhënësi.
- Fotokopje të certifikatave të kualifikimit (nëse ka)
- Vërtetimin e gjendjes gjyqësore
- Një numër telefoni si dhe adresën e plotë për t’u kontaktuar
Procesi i Përzgjedhjes
Kandidatët që plotësojnë kriteret e përcaktuara dhe kalojnë fazën e verifikimit të dokumentacionit do t’i nënshtrohen procedurës së konkurrimit, e cila përbëhet nga dy faza:
- Testim me shkrim
- Intervistë
Vetëm kandidatët që rezultojnë të suksesshëm në fazën e testimit me shkrim do të kualifikohen për fazën e intervistës. Data, ora dhe vendi i zhvillimit të secilës fazë do t’u komunikohen kandidatëve të kualifikuar nëpërmjet të dhënave të kontaktit të deklaruara në aplikim.
Shënim i rëndësishëm
Mosparaqitja e plotë dhe brenda afatit e dokumenteve sjell skualifikim të kandidatit.